DREJTIMI TEKSTIL KONFEKSIONE
Qëllimi kryesor i arsimimit profesional në drejtimin “Tekstil – konfeksione”, niveli II –IV i KSHK, është “zhvillimi i personalitetit të nxënësve për të jetuar në përshtatje me botën që i rrethon dhe përgatitja e tyre për t’u punësuar në veprimtaritë profesionale që lidhen drejtpërdrejt me prodhimin dhe konfeksionimin e veshjeve.
Për të realizuar këtë shkolla profesionale u krijon nxënësve:
- mundësi të përshtatshme për të nxënë, pavarësisht nga gjinia, raca, besimi dhe aftësitë;
- mundësi për të gjithë, për të zhvilluar kompetencat profesionale, të bazuara në njohuritë,shprehitë, qëndrimet dhe vlerat, të mjaftueshme për të lehtësuar punësimin dhe përparimin drejt arsimit e formimit profesional të mëtejshëm;
- mbështetje për t’u njohur me rregullat e sigurimit teknik e të ruajtjes së mjedisit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për t’i zbatuar ato me rreptësi;
- mbështetje për t’u njohur me teknologjitë e proceset teknologjike bashkëkohore e të perspektivës, që lidhen me kualifikimin profesional përkatës;
- mbështetje për të zhvilluar ndjenjën e disiplinës, kuriozitetin intelektual dhe profesional,si dhe vlerat morale;
- mbështetje për t’u zhvilluar psikologjikisht dhe fizikisht, për të përballuar vështirësitë që do të ndeshin gjatë veprimtarive të ardhshme profesionale;
- mbështetje për të zhvilluar frymën e tolerancës dhe të mirëbesimit nëpërmjet përvojës së punës.
Përfundimi me sukses i kualifikimit profesional ”Tekstil – konfeksione”, niveli II i KSHK, e pajis nxënësim me certifikatën e punonjësit gjysëm të kualifikuar (ndihmës) në këtë drejtim,me të drejtë për vazhdimin e arsimimit në nivelin III të KSHK e kualifikimit professional (njëvjeçar), në një nga profilet mësimore të këtij drejtimi.Ky kualifikim i jep mundësi nxënësit t’i drejtohet tregut të punës si ndihmës në ndërmarrje të ndryshme të prodhimit të veshjeve për burra, gra dhe fëmijë; të qepjes së tekstileve për përdorim shtëpiak si dhe në ndërmarrje të prodhimit dhe konfeksionimit të trikotazheve.Pas përfundimit të nivelit të II të KSHK, nxënësi mund të vazhdojë studimet në nivelin e III të KSHK në një prej profileve të drejtimit “Tekstil Konfeksione”, dhe e pajis nxënësin me certifikatën e punonjësit të kualifikuar.
Përfundimi me sukses i arsimit profesional nё drejtimin “Tekstil-konfeksione”, niveli IV i KSHK, e pajis nxënësin me Diplomën e Maturës Shtetërore Profesionale, si dhe me Çertifikatën e teknikut të tekstil-konfeksioneve. Ky kualifikim i jep nxënësit mundёsinë që t’i drejtohet tregut të punës për punësim nё të gjitha bisneset e vogla artizanale të rrobaqepsive, galanterive apo tekstilit. Nxënësi mund të punësohet në të gjithë sektorët e industrisë së veshjeve apo të tekstilit. Gjithashtu, nxënësi mund të vetëpunësohet në kuadrin e një biznesi individual në fushën e rrobaqepësisë, galanterisë dhe tekstilit.
Me përfundimin e këtij niveli, nxënësi ka mundësi për vazhdimin e arsimimit në nivelin pas të mesëm ose në nivelin e studimeve universitare.
- PROFILI RROBAQEPËSI
Mundësitë e punësimit:
Përfundimi me sukses i arsimit profesional nё profilin “Rrobaqepësi”, niveli III i KSHK, e pajis nxënësin me certifikatën e punonjësit të kualifikuar në këtë profil profesional.
Ky arsimim i jep mundësi nxënësit t’i drejtohet tregut të punës si rrobaqepës dhe si kostumier në reparte industriale dhe artizanale.
Kompetencat/aftesitë e fituara në këtë profil:
- Të organizojë vendin e punës, përzgjedhjen e materialeve, veglave dhe pajisjeve të punës.
- Të përdorë dhe mirëmbajë mjetet dhe materialet e punës.
- Të interpretojë dokumentacionin teknik të profesionit, zbatojë standardet e profesionit.
- Të zbatojë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
- Të konfeksionojë veshje për gra shtatzëna, jelekun për femra dhe meshkuj.
- Të konfeksionojë xhaketa për femra, xhaketa për meshkuj, veshje për bebe.
- Të kryejë proceset përfundimtare të konfeksionimit të veshjeve të sipërme dhe të brendshme.
- Të kontrollojë realizimin e proceseve të punës.
- Të përdorë në mënyrë të pavarur literaturat profesionale.
- Të komunikojë me etikë profesionale.
- Të kryejë llogaritje të thjeshta ekonomike për veprimtarinë e rrobaqepësisë.
Apliko për tu rregjistruar
Ne besojmë që nxënësit :
- Duhet te jenë të aftë profesionalisht për t’iu pershtatur nevojave të tregut të punës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
- Kanë gjithmonë stile të ndryshme të nxëni dhe, natyrisht edhe nevoja të ndryshme për të mësuar.
- Të gjithë duhet të rriten dhe të zhvillohen me një personalitet të plotësuar.